Gjykata e Lartë

Organizimi dhe funksionimi i kësaj gjykate rregullohet me Kushtetutë (nenet 136-142), me ligjin nr.8436, datë 28.12.1998, ndryshuar me ligjin nr.8546, datë 05.11.1999, ndryshuar me ligjin nr.8656, datë 31.07.2000, ndryshuar me ligjin nr.9111, datë 24.7.2003 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" si dhe me ligj të veçantë nr.8588, datë 15.03.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë në R.Sh.", i ndryshuar me ligjin nr. 151, datë 30.05.2013.

Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar në rastet kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese (neni 141 i Kushtetutës) dhe juridiksion rishikues në ato raste kur shqyrton ankimet ndaj vendimeve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit.

Gjykata e Lartë gjykon në kolegje civile, penale dhe administrative.Për çështje të veçanta, siç janë p.sh. ato për njehsimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore, ajo gjykon edhe në kolegje të bashkuara, kompetencë kjo e cila i njihet kësaj gjykate në nenin 141/2 të Kushtetutës.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë, të cilët emërohen në detyrë nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat kohor 9-vjeçar, të parinovueshëm.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është i detyrueshëm edhe për gjykatën të cilës çështja i rikthehet për rishqyrtim. Vendimet e saj, të shoqëruara edhe nga mendimet e pakicës, janë të detyrueshme për botim.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645