Organizimi Gjyqësor

Pushteti Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ushtrohet nga Gjykata e Lartë, nga gjykatat e apelit dhe gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. (Neni 135 i Kushtetutës).

Ligji nr. Nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka përcaktuar krijimin, organizimin dhe kompetencat e gjykatave, kushtet dhe procedurat për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre, si dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e gjykatave.

Dita e Drejtësisë është 10 maji.

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I GJYKATAVE

Pushteti gjyqësor

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë.

Me ligj mund të krijohen gjykata në fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.

Gjykatat e shkallës së parë

Gjykatat e shkallës së parë janë gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e krimeve të rënda.

Gjykatat e apelit

Gjykatat e shkallës së dytë janë gjykatat e apelit dhe gjykatat e apelit të krimeve të rënda.

Organizimi dhe kompetencat e gjykatave

  1. Gjykatat e rretheve gjyqësore organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  2. Gjykatat për krimet e rënda organizohen dhe funksionojnë në një ose më shumë rrethe gjyqësore.
  3. Kompetencat tokësore të gjykatave dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohen me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
  4. Kompetencat tokësore dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për gjykatat e apelit caktohen me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykatat administrative

Organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative rregullohen me ligj të veçantë.

Numri i gjyqtarëve

Numri i gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe për çdo gjykatë të apelit caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ndarja e çështjeve gjyqësore

Ndarja e çështjeve gjyqësore bëhet me short, sipas procedurave të caktuara me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykata e Lartë

  1. Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor, i cili ka juridiksion fillestar dhe rishikues.
  2. Organizimi dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë përcaktohen me ligj të veçantë.

Gjykatat kanë kompetencë të shqyrtojnë të gjitha çështjet penale, penale ushtarake, civile, administrative si dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar në ligj.

Në vitin 2004 u krijuan gjykatat e krimeve të rënda. Në vitin 2012 u krijuan gjykatat administrative.

Viti gjyqësor fillon me datën 10 Maj të çdo viti kalendarik dhe përfundon më datën 9 maj të vitit pasardhës. Ceremonia e përurimit të vitit të ri gjyqësor bëhet në formë publike dhe solemne.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645